“Një ditë-natë” e bukur europiane në Kumanovë (VIDEO)


image“Kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta” thotë Niçe-ja. Në momentet kur në Kumanovë njerëzit janë  të zhytur në stres nga rrethanat politiko/socio/ekonomike rrallë e hiç kemi raste ku mundemi të shohim të bashkuar elitën kumanovare. Ishte pikërisht ekspozita e piktorit kumanovarë Armend Ademi, evenimenti që bashkoi elitën kumanovare për t’a larguar nga realiteti jo aq i këndshëm dhe për ta sjellë në botën e artit.


Shpresojmë që kësi lloj aktivitetesh, duke u përpjekur që secili të sjellë diçka më ndryshe se aktiviteti paraprak, të ketë sa më shumë në Kumanovë dhe mes shqiptarësh. Armendit i dëshirojmë suksese në të ardhmen, duke kërkuar që për secilin aktivitet si pikënisje të ketë suksesin e arritur në këtë ekspozitë të tij të parën. 

Kompetentëve u kërkojmë që në të gjitha format të kontribuojnë në zhvillimin e artit të mirëfilltë, duke bërë që artistët të jenë “komandantët e ardhshëm” nën urdhërat e të cilëve do të frymojnë shqiptarët e Maqedonisë.

Suzanës i lutemi që të promovojë artin dhe kulturën e shqiptarëve të Maqedonisë, sa herë që i jepet mundësia e kualitetit kulturor që posedon kjo pjesë e nënqiellit shqiptarë. 

Të gjithë këto elemente na e bëjnë të vështirë të ndahemi nga ky publik i mahnitshëm, nga këto tinguj klasik rrallë të dëgjuar te ne, dhe nga këto punime që po na zbukurojnë shpirtërat.

Me shpresë se kjo është vetëm një fillim i bukur i artit pamorë në Kumanovë, e assesi fundi i tij.

“Një ditë-natë me ngjyra” e pikturuar në 40 pikturat e piktorit kumanovarë Armend Ademi ishte shkaku që Kumanova artdashëse të përjetojë një natë të paharrueshme artistike. Për krijimin e një atmosfere me elemente të evenimenteve kulturore që përjetohen në metropolet europiane, kontribut dhanë edhe dy violina, një kontrabas dhe një violinçelo. Katër entuziastët e rinjë që para Galerisë së Arteve në Kumanovë, interpretonin vepra të njohura të muzikës klasike ku u bënin me dije kalimtarëve se aty mbrenda po ndodh një eveniment i shumëpritur nga artdashësit kumanovarë.


                 
Në këtë mënyrë ekspozita e parë individuale e Armend Ademit u mbush përplot me detaje artistike, për të cilët lirisht mund të themi, se janë të parët të këtij lloji në Maqedoni. Detaje që së paku për disa orë bënë që Kumanova të mos dallojë nga kryeqendrat kulturore, detaje që e bënë, galeria e Kumanovës të qëndrojë krahë për krahë me galeritë parisiene, londineze e ngjajshëm. Idenë se si dhe pse të erdhi kjo ide e organizimit me detaje që janë parë në galeritë europiane, por jo edhe te ne, shumë qartë na e sqaroi art menaxheri e ekspozitës. “E kemi paraparë që qysh prej afrimit pranë objektit të galerisë, vizitori të tërhiqet nga tingujt e violinës, kontrabasit e violinçelos dhe ti përkushtohet vetëm artit. T’ia dorëzojë veten artit klasik, t’i lërë brengat anash, të lënë anash edhe rutinën e përditshmerisë dhe te përqendrohet në art dhe vetem art”. Organizatori kishte përgaditur disa surpriza për mysafirët dhe ata preferuan të ndajnë kënaqesitë estetike me galerinë e arteve ne Kumanovë, duke besuar se do ta prezentojnë në një ekspozitë klasike të pikturave. Numri i madh i mysafirëve ishte vetëm një dëshmi për atë që është bërë tani më e qartë, se Kumanova është bërë qendër kulturore, ndërsa e tëra ajo që i nevojitet është një menaxhim i mirë. Për tu admiruar ishte fakti që një numër i madh i intelektualëve kishin ndarë kohë për të marrë pjesë në këtë ekspozitë. Të gjithë së bashku bënë si rezultat të kemi një ekspozitë të klasit të parë. Thjeshtë thënë, kjo dëshmon se publikun e elitës kumanovare e ka marrë malli për art të mirëfillt.

Profesori Osman Demiri, njëri që kishte përcjellur ecurinë e karrierës së Armendit qysh nga fillimet e tij, u nderua të thotë disa fjalë për autorin.

“Artdashës, mirëmbrëma, më vjen shuë mire që kam kënaqesinë që mu dha sonte rasti të bëjmë hapjen e ekspozitës të kolegut tonë, ish studentit tim Armendit. Një kolegu im profesor i dizajnit ne Fakultetin e Arteve në Tetovë, më tha se ka një student të ri të Kumanovës, a e njeh? Më tha edhe emrin edhe mbiemrin, nuk e njihja, mirëpo me kohë ai u bë shumë i njohur, pra po e shihni edhe me veprat e tij që i ka sonte këtu, me punë para jush ka dikund mbi 30 tablo të Armendit, vaj në pëlhurë të punuara vitet e fundit. Qysh si student unë nuk e kam parë më duke punuar në pikturë mirëpo e kam përcjellur nëpër kolonitë artistike të cilat janë mbajtur nëpër trevat shqiptare Shqipëri, Kosovë, Maqedoni por edhe më larg. Më pëlqeu shumë se për recenzionin e kësaj pune e ka bërë profesoresha Suzana Varvarica - Kuka nga Tirana dhe si titull më pëlqejë shumë një ditë natë me ngjyra, nëse vëreni mirë arma më e fortë e Armendit në këto piktura është pikërisht ngjyra, do të thoni ju që krejt piktorët punojnë me ngjyra, po në rregull, krejt punojnë me ngjyra mirëpo Armendi ishte pak më karakterisik se tjerët”, tha profesor Osman Demiri.

Për ti shtuar peshë kësaj ekspozite u kujdes fillimisht emri i kritikës më të mirë shqiptare të artit pamor profesoresha Suzana Varvarica Kuka, e pastaj e tëra që ajo tha për ekspozitën dhe punën e Armend Ademit ajo ishte edhe kuratore e kësaj ekspozite që patjetër duhet thënë se është një sukses i Armend Ademit

“Të ju them të drejtën jam shumë e kënaqur por nganjëherë ndjesitë nuk arrihen të thuhen ashtu siç janë nga mbrenda. Dhe që jam këtu me ju, natyrisht jam me pikturën e Armendit dhe për këto arsye ndihem shumë shumë mirë pranë jush sepse edhe vetë jam me origjinë nga Dibra e madhe dhe më duket vetja sikur jam në vendin tim. Atëherë, do ta nis atje ku e la më përpara Osmani, për të thënë që ngjyra nuk është aq e thjeshtë, për të thënë që ngjyra është ajo që përcakton gjithë artin modern ku bënë pjesë edhe “admiri”, sepse jemi në një situatë që arti kontemporan e ka shumë të vështirë ta pranojë pikturën madje është në një konflikt shumë të madh dhe gjithmonë tenton që ta eleminojë paksa, por njeriu ka lindur me pikturën dhe piktura ka lindur, është mbrenda njeriut dhe nuk ka se si të eleminohet. Por ai qe merret me pikturë pra qe merret me ngjyra duhet patjetër ta dashurojë atë, ta njohi, ta bëjë të veten dhe pastaj ta shpërthejë në imazhe të ndryshme dhe pikërisht kjo është veçantia që solli dhe piktori sot, sepse ai me ngjyrën, natyrisht e ftoi ngjyrën por e ftoi ngjyrën nëpërmjet imazheve që i sheh rreth e qark dhe rreth e qark po të shikoni ne zbulojmë pejsazhe, por pejsazhe që nuk janë realiste por pejsazhe që i japin ngjyrës vendin e vet dhe kjo është një arsye që unë kur e pashë gjithë punën e tij fillova të ndjesoja, jo si piktori por fillova te ndjesoja për ngjyrën e tij dhe për veten time dhe prandaj do të shikoni që të gjitha veprat e tija janë të ndara në cikle dhe ciklet janë të përshkruara nga një ditë e gjitha dhe një natë, që cdo të thotë, do të thotë që neve të gjithë po të mendojmë të mbyllim pak sytë dhe të shohim që orë pas ore ndjesitë tona ndryshojnë dhe ky piktorë këtë bëri. Orë pas ore ndryshoi ndjesitë e tija nëpërmjet pikturës pra dha si të thuash ditën dha natën dha drekën dha pasditën, sipas mendimit tim gjithmonë, dha si të thuash ndjesitë që ai kishte gjatë 24 orëve, dhe unë e ndjesova këte ashtu siç e ndjesoi piktori. Mbase ai nuk e ka bërë të tillë, ka shkuar dhe ka pikturuar në një mendim tjetër, në një ndjesi tjetër por unë dëshiroja ta shikoja kështu pra, ta shikoja vetën time si kritike e artit mbrenda pikturës së tijë dhe u ndjeva mjaftë mirë kur e mbarova tekstin dhe zbulova që të gjitha ndjesitë e Armendit, janë ndjesi të cilat na shkojnë për shtati të gjithëve, na shkojnë për shtati në mënyrën se si nata është e jona, ëndërrat janë tonat, intimiteti është i joni, pasditja, qetësia, konfliktet që kemi gjatë gjithë kohës janë tonat, por Armendi din ta shpërthejë nëpermjet ngjyrave. Tre janë ngjyrat kryesore po të shikoni, dhe në shkollë këto mësohen që tre janë ngjyrat kryesore, por aftësia e tijë për të përcjellur intenzitetet, për të përcjellur nuancat, për të percjellur meditimet ndaj fenomeneve, akteve, objekteve që na rrethojnë dhe për ti përthithur në një formë tjetër pra individuale si çdo piktorë tjetër do ta bënte këtë. Armendi mendoj se e ka kaluar me shumë sukses. Më lejoni të faleminderoj dhe Valonin, i cili me një këmbëngulje elegante, jo se më bëri mua të vij këtu, por unë kisha shum dëshirë të vija dhe ai me nje lloj aftësie që e ka prej një manaxheri të suksesshem, arriti që unë sot të isha këtu dhe të thoja dy fjalë pozitive kundrejt një pikture pozitive të Armendit” tha kritikja e shquar e artit pamor, Suzana Varvarica – Kuka.

Kjo ekspozitë është vetëm se një derë e madhe që i hapet të ardhmes së Armendit, ndërsa bashkëpunimi me profesoreshën Suzana Varvarica – Kuka, ia ka hapur një dimension tjetër Armendit dhe qasjes së tijë ndaj pikturës.

“Miqë të nderuar kjo mbrëmje do të ishte ndryshe nëse juve pranë nuk do tju kishim ne këtë formë dhe së pari ju faleminderoj juve që ishit ju prezent sonte këtu gjatë hapjes së ekspozitës që më bëri që të ndjehem edhe më i përgjegjshëm se çka do të ju ofroj juve. Shpresoj që keni mbetur të kënaqur, ju faleminderoj për vlerësimet që ju bëtë punimeve të mia duke garantuar se sa të mira do t’i shumëfishoj me disa të tjera. Duke qenë se kjo ekspozitë eshte individuale e imja e para, sinqerisht ju them se gjithëçka që ndodhi sot ishte vetëm shtytje për të punuar edhe më tutje punën artistike duke mos bërë kompromis me kiçin dhe shundin.Kam dëshirë të faleminderoj profesoreshën Suzana Varvarica – Kuka, duke e pranuar që pjesëmarrja e saj këtu nuk është gjë e rastësishme, ajo si një ndër kritikët më të shquara të artit pamor, ajo ishte emri për të cilën isha i sigurtë se do ti jepte një dimension tjetër ekspozitës dhe shpresoj që bashkëpunimi të jetë I përhershëm” tha Armend Ademi.

Derisa vizitorët së bashku me organizatorin dhe autorin, merreshin me pikturat duke diskutuar mbi mesazhet e domethënjet e tyre, tinguj pianoje vetëm sa forconin këtë frymë arti që tani më kishte depërtuar në çdo pore të galerisë, ndërsa mjeshtër të këtyre tingujve, profesoresha Arjana Kuriu - Grubi e cila me bashkëshortin e saj, profesor Blerim Grubi, violinistin e përmasave ndërkombëtare kishte nderuar këtë ekspozitë dhe autorin e saj me pjesëmarrjen e tijë dhe kjo në bazë vullnetare. Profesor Blerim Grubi, i dhuroi shumë kësaj ekspozite, ndërsa në mungesë të fjalëve tona më së miri ta lëmë të flasë ai vetë dhe vepra e tijë.

“Kur më ftuan që të vijë në Kumanovë, menjeherë pranova. Vetëm se ishte studenti im, do me thënë student që kemi dhënë ne si pedagog dhe të gjithë duhet ta dimë, nëse duam ta asimilojmë një popull, atëherë ja zhdukim kulturën, por kultura sonte lindi ne Kumanovë. Dhe besoj se kam këtu shumë armatë të studentëve, armata ime është kjo Z. Komandant, dhe do të shihni se cfarë do të bëjnë pas disa viteve, këtu do të hapet edhe orkestri  dhe do të hapen edhe shumë gjëra të tjera vetëm se duhet të punojmë dhe besoj se do te ketë të mira?

Këtë e kam luajtur nga Saranda e deri në Preshevë edhe erdhi rradha për ta luajtur sonte në Kumanovë. Faleminderit shumë, kënaquni me pikturat e Armendit.

Do me thënë është një kënaqësi e madhe kur një student i Universitetit Shtetërorë të Tetovës, bën një ekspozitë madhështore, për mua ishte nje gjë shumë e madhe, shumë madhështore, për arsye se ai është prodhimi i universitetit, dhe e thashë edhe para publikut, se do të vijë një armatë e artistave të rinjë nga Universiteti Shtetërorë i Tetovës. Ky është ai produkti i Universitetit Shtetërorë të Tetovës dhe e thashë edhe një gjë tjetër, se po të duash ta asimilosh një komb ose ta zhdukësh një komb, humbja kulturën do me thënë ndaloja kulturën edhe do të shohësh për disa vite ai nuk do të ketë identitet. Sonte për atë edhe pranova te vija ne Kumanovë, unë në Kumanovë kam ardhur edhe disa herë tjera me filharmoninë e Maqedonisë e kështu me rradhë tjera, mirëpo sonte erdha për një artist shqiptarë dhe mu bë qejfi kështu që me zonjën time Arjana, vendosëm që të vijmë edhe të ju tregojmë të vërtetën, erdhëm nga Prishtina drejtë këtu në Kumanovë, erdha vetëm e vetëm të jem në mesin e qytetarëve të Kumanovës sonte dhe mesazhi kryesor është që arti që ngrit në piedestal një komb, ajo është një gjë më madhështore dhe të gjitha kombet investojnë në këtë lëmi, për arsye se sjell të mira. Sot kur bëhen gërmime bëhen duke e zbuluar artin e kaluar dhe ato janë të gjitha, ne sot vendosim. Pikërisht kjo është, do me thënë njerëzit dhe publiku i Kumanovës, sidomos shqiptarët, krijohet një kënaqësi e madhe, sonte ata sigurishte do ta ndjejnë veten shumë më krenarë që janë shqiptarë për arsye se kanë parë dicka pozitive dhe unë besoj, mendoj që rinia dhe studentët e rinjë që do të vijnë do të kenë hapesirë të ekspozojnë këtu dhe pse jo edhe faktikisht që Kumanova mos të jetë një “zorrë qorre” i gjithë kultures shqipëtare. Kumanova bashkë me Shkupin, Tetoven edhe Kosova deri ne Durrës, te jemi bashkë mendoj se nëse ne jemi ne gjumë nëse flejmë atëherë nuk do të vijë askush të na i bëjë gjithë këto të mira, nëse punojmë besoj se do të kemi shumë gjerë të mira dhe kultura jonë do të ngritet në piedestalin më të lartë, sikur që është i ngritur nga individ nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, kemi edhe nga Maqedonia ne botë, në të gjitha skenat botërore, e pse jo në skenat tona ku është burimi kombëtar”, tha violinisti me përmasa ndërkombëtare, profesor Blerim Grubi.

“Mua më erdhi shumë mirë se me themelimin e Universitetit Shtetërorë  të Tetovës, prej vitit 1994 une jam atje e kyçur, për mua ishte një kënaqësi e madhe se sonte përveç pikturave, kishte një publik jashtëzakonisht të mirë, publik i cili u pa që ishte i etshëm për të dëgjuar tinguj, për të parë piktura dhe une i uroj piktorit edhe shumë ekspozita të tjera në të ardhmen, mirëpo edhe siç tha edhe Blerimi pra ne presim shumë më tepër nga artistat e rinjë”, tha profesoresha Arjana Kuriu – Grubi, mjeshtër e tingujve të pianos.

“Historia jonë me të vërtetë ka qenë e dhimbshme, këto teritore këtu janë përgjakur nga ushtria serbe edhe të Shkupit edhe të Kumanovës, para 102 viteve në vitin 1912 dhe kështu që e ndjej atë tërqethjen edhe e kam perkushtuar të gjithë atyre të rënëve për këtë ditë që sot Armendi ka bërë per Kumanoven. Armendi është komandant kryesorë i Kumanovës tani dhe unë ju thash edhe të gjithëve, ishin edhe ushtarë çlirimtarë këtu që ishin sonte, kryetari i komunës dhe të tjerë, thash Komandant, tani do të vijnë komandantët tanë që do të udhëheqin popullin dhe besoj që do të realizohet kjo dhe do të na bëjnë që neve të udhëheqim këtë popull edhe ky popull të shkojë me kulturë, me shkencë, me arsim dhe të zhvillohet siç i ka hije” tha violinisti me përmasa ndërkombëtare, profesor Blerim Grubi.

“Për fund duhet thënë që pas gjithë këtij organizimi qëndron një dorë e cila u kujdes për detajet, është art menaxheri i ekspozitës i cili falë përvojës që kishte marrë duke menaxhuar disa ekspozita ne Europë, ia kishte dalë që ndoshta edhe për shkurt ta sjell një ekspozitë europiane ne Kumanovë”. /www.almakos.com

0 comments:

Post a Comment